31 gusht, 2017 – Federata e Futbollit e Kosovës ka shtruar sot një drekë të përbashkët për zyrtarët e UEFA-s dhe të Federatës së Norvegjisë, në prag të ndeshjes së nesërme për kualifikimet e Evropianit 2019, Kosovë – Norvegji, që zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 19:00.
Mikpritës i këtij takimi ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja, kurse të pranishëm ishin edhe asistentja e presidentit Fadil Vokrri, Merita Morina-Zariqi dhe menaxheri i Kombëtares U-21, Zgjim Sojeva. Delegati i UEFA-s ishte belgu Jean Francois Crucke, kurse federatën norvegjeze e përfaqësoi nënkryetari Bjarne Berntsen.
Me këtë rast anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja, përveç tjerash i njoftoi mysafirët për ecurinë e futbollit kosovar ndër vite dhe sidomos tani pas anëtarësimit në UEFA e FIFA dhe për hapat që po merren në përmirësimin e infrastrukturës. Në anën tjetër, si delegati i UEFA-s, ashtu edhe përfaqësuesi i Federatës norvegjeze e falënderuan z. Broja për mikpritjen e ngrohtë dhe u shprehën të kënaqur me kushtet e akomodimit, duke uruar që Kosova të përparojë edhe më tutje në të gjitha segmentet. Në fund të drekës delegacionet shkëmbyen edhe disa dhurata, si dhe uruan njëra-tjetrën për një ndeshje ‘fair-play’.