30 gusht, 2019 – Në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2021 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në konkurrencën e femrave, ashtu siç është bërë tashmë traditë nga të gjitha anëtaret e UEFA-s, FFK-ja ka shtruar drekë për delegacionin e Federatës turke dhhe për delegaten e kësaj ndeshje. Nga FFK-ja të pranishëm ishin anëtarët e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja dhe Ilaz Mjaku, derisa nga delegacioni turk morën pjesë Talat Tuncel, Fuat Cicimen dhe Eren Senyaprak, si dhe delegatja e UEFA-s për këtë ndeshje, Barbara Moschini. Duke i përshëndetur dhe uruar për qëndrim të këndshëm në Kosovë, anëtarja e KE të FFK-së dhe njëherësh kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, Vjollca Krasniqi i informoi mysafirët për zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë. “Ne jemi një kombëtare e re, por që kemi arritur të bëjmë progres në vitet e fundit pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Përveç Kombëtares A, garojmë edhe me Kombëtaren U19 dhe Kombëtaren U16, derisa vit pas viti kemi ngritje edhe në ligën kombëtare. Sa i përket shortit për këto kualifikime nuk kemi qenë me fat, ngase do të përballemi me kombëtare shumë të forta. Megjithatë, ne jemi mobilizuar maksimalisht se synojmë që ta përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë. Edhe sonte shpresoj se do të jemi dëshmitar ëtë një ndeshje cilësore, ku sigurisht që ne do të luajmë për fitore”, ka theksuar Krasniqi. Ndërkohë, Xhelal Broja foli edhe për historikun e futbollit kosovar si dhe për serinë e shkëlqyeshme nga Kombëtarja e meshkujve, e cila është shndërruar në storie të suksesit. Në anën tjetër mysafirët nga Turqi dhe delegatia italiane u shprehën shumë të kënaqur me mikpritjen dhe uruan për suksese të mëtutjeshme të FFK-së. Në fund të drekës të dyja palët shkëmbyen dhurata dhe uruan njëra – tjetrën për një lojë korrekte.
Ndërkohë, delegacioni i FFK-së para ndeshjes ka vizituar në hotel edhe ekipin Kombëtar, me ç’rast kanë inkurajuar futbollistet për paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje, derisa kanë ritheksuar përkrahjen e KE të FFK-së dhe presidentit Agim Ademi për futbollin e femrave dhe në veçanti ekipin kombëtar.