26 dhjetor, 2023 – Në përmbyllje të vitit 2023, Federata e Futbollit e Kosovës, sipas traditës së krijuar tash e disa vite, ka shtruar drekën e fundvitit me partnerët e saj. Presidenti Agim Ademi ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për partnerët e FFK-së, të cilët ndihmuan në zhvillimin e futbollit. I pari i FFK-së theksoi se ky bashkëpunim i ngushtë ka kontribuuar ndjeshëm në avancimin dhe forcimin e futbollit në Kosovë.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi përkushtimin dhe mbështetjen e partnerëve, duke theksuar rolin e tyre kyç në promovimin e futbollit dhe krijimin e mundësive për talente të reja. Presidenti gjithashtu shprehu gëzimin për arritjet dhe sukseset e përbashkëta të realizuara gjatë kësaj periudhe të bashkëpunimit.

Ky moment u shfrytëzua edhe si një mundësi për të ndarë perspektivën e presidentit mbi të ardhmen e futbollit në Kosovë dhe planet për rritjen e nivelit të futbollit. Ai inkurajoi partnerët që të vazhdojnë mbështetjen e tyre dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm për të ndërtuar një mjedis të përbashkët të arritjeve sportive dhe zhvillimit të shoqërisë nëpërmjet futbollit.

Në fund për të gjithë partnerët FFK ndau nga një fanellë të Kombëtares së Kosovës si shenjë mirënjohje për bashkëpunimin.