28 shkurt, 2022 – FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku që të pezullojë pjesëmarrjen e Kombëtares së Rusisë dhe klubeve ruse nga të gjitha garat e këtyre dy institucioneve deri në njoftim të ri.  Ky vendim është miratuar sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të dy institucioneve për çështje të tilla urgjente. Këto masa ndëshkuese ndaj Rusisë vijnë si reagim ndaj agresionit të shtetit rus në Ukrainë, ku tash e pesë ditë po zhvillohet luftë e ashpër.

“Futbolli është plotësisht i bashkuar në këtë çështje dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. Presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s shpresojnë që situata në Ukrainë të përmirësohet ndjeshëm dhe me shpejtësi, në mënyrë që futbolli të jetë sërish një mjet për unitetin dhe paqen mes njerëzve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga dy organizmat e futbollit ndërkombëtar. Ndërkohë, sot gjatë ditës presidenti Ademi i ka dërguar telegram mbështetjeje presidentit të Federatës së Futbollit të Ukrainës dhe tërë popullit ukrainas.