26 tetor, 2019 – Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Norvegjisë, i nënshkruar kohë më parë nga presidenti Agim Ademi dhe homologu i tij, Terje Svendsen tashmë ka filluar të zbatohet në praktikë. Në fakt, sot, në hotel “Onix” në Banjën e Pejës ka filluar kursi i trajnereve, me instruktorë norvegjezë, ku po marrin pjesë nga dy futbolliste të 12 klubeve të Ligës së Parë, të cilat në të ardhmen synojnë të vazhdojnë me profesionin e trajneres. Në hapje të këtij kursi morën pjesë menaxherja e Grassroots, Sanije Krasniqi, menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka administratori për edukim, Lorik Fazlija si dhe instruktorët norvegjezë Onar Nymoen, Irene Lunde dhe Elise Barsnes.
Menaxherja e Grassroots në FFK, Sanije Krasniqi në hapje të këtij kursi theksoi se realizimi i këtij kursi vjen falë nënshkrimit të memorandumit nga presidentët e dy federatave. “Federata norvegjeze ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë federatën tonë me këtë projekt si dhe klubet e futbollit të femrave në shkollimin e vajzave, të cilat në të ardhmen synojnë të punojnë si trajnere. Po ashtu, me këtë projekt klubet ndihmohen edhe me pajisje sportive. Ky është një cikël trevjeçar, ku pa dyshim që pjesëmarrëset e këtij kursi përfitojnë njohuri të mëdha rreth aktiviteteve që motivojnë vajzat e reja të luajnë futboll”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërkaq, instruktori norvegjez, Onar Nymoen theksoi se ndihen të nderuar që për herë të parë e mbajnë një kurs të tillë në Kosovë, teksa ka sqaruar se të njëjtin kurs e kanë mbajtur edhe në shtetet e Lindjes së Mesme, në ato të Afrikës dhe në vendet e tjera të Ballkanit.
“Ky kurs është një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, Federatës së Futbollit të Norvegjisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Qëllimi kryesor i këtij kursi është që t’i jepet mundësi femrave që të luajnë futboll. Ne mendojmë se kur edukojmë trajnere femra atëherë do të kemi edhe më shumë vajza që luajnë futboll. Pra qëllimi është që kur ju të ktheheni në klubet tuaja pas përfundimit të këtij kursi, të tregoni aktivitet me vajzat e klubeve tuaja me njohurit që merrni nga ky kurs dhe me pajisjet sportive që do t’u jepen si ndihmë. E rëndësishme është që të inkuadroni sa më shumë vajza në futboll”, ka thënë Onar Nymoen.
Ai tutje ka sqaruar se ky është niveli fillestar i këtij kursi, derisa pas disa muajsh do të realizohet edhe niveli tjetër. Mirëpo, ndërmjet dy niveleve të këtij kursi është mësimi vetanak prej 25 orëve, të cilat vajzat pjesëmarrëse duhet t’i praktikojnë në klubet ku punojnë. Përmbushjen e këtyre orëve e bëjnë me stërvitjet që do t’i mbajnë me vajzat në klubet e tyre dhe çdo dy muaj do ta paraqesin raportin e punës.
Pjesëmarrëset e këtij kursi krahas ndjekjes së ligjeratave dhe punës teorike do të kenë edhe punë praktike në fushën e gjelbër gjatë katër ditëve të ardhshme.