1 shtator, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka arritur fitore historike, duke e mposhtur Norvegjinë, me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019. Djelmoshat e Rafet Prekazit treguan karakter të madh, duke e përmbysur rezultatin nga 0:2, për të regjistruar fitore në ndeshjen e parë në shtëpi dhe për t’i gëzuar tifozët e pranishëm, që realisht nuk ishin në numër aq të madh, por të cilët i dhanë kurajë skuadrës për këtë sukses historik. Shpresat e Kosovës kanë treguar një paraqitje madhështore, ndonëse kanë pësuar dy gola pas 36 minutave lojë. Futbollistet e Kosoves nuk e filluan aspak mirë ndeshjen pasi pësuan qysh në minutën e pestë. Një gabim të mesfushorit Ylber Maloku e shfrytëzoi mjaft mirë Morten Thorsby që kaloi nordikët në epërsi. Mirëpo, pas golit të pësuar Kosova u këndell dhe iu afrua golit të barazimit përmes Enis Bytyqit, por topi shkoi pranë shtyllës. Në periudhën e dominimit të skuadrës tonë norvegjezët arritën edhe golin e dytë. Ishte minuta e 36-të kur Martin Odegaard shënoi nga gjuajtja e lirë. Mirëpo, këtij rezultati negativ nuk iu dorëzuan delmoshat tanë, të cilët arritën të shënojnë golin e parë në minutën e 41-të. Florent Hasani shpërtheu në mbrojtjen e mysafirëve dhe e shërbeu në mënyrë të shkëlqyeshme Enis Bytyqin, i cili e dërgoi topin në rrjetë. Ende pa kaluar dy minuta Kosova arriti edhe ta barazojë rezultatin. Këtë herë ishte Florent Hasani, i cili e gjeti rrugën e golit, duke çuar tifozët në delir. Në pjesën e dytë djelmoshat e Prekazit treguan lojë shumë më të sigurt dhe nuk lejuan kundërshtarin të rrezikojë portën e Visar Bekajt. Ndërkohë, në periudhën kur norvegjezët po synonin të gjenin rrugën e golit dhe të fitores, vjen ndëshkimi për ta. Ishte minuta e 87-të kur Enis Bytyqi depërtoi në zonën e mysafirëve dhe me gjuajtje të fortë e çoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e tij më të rëndësishëm në karrierën e deritanishme. Kjo fitore dëshmon se Kosova ka të ardhme të ndritur, derisa këta djelmosha meritojnë edhe më shumë përkrahje. Kosova tashmë ka 6 pikë dhe kryeson në Grupin 5 të kualifikimeve të Evropianit, derisa ndeshjen e radhës e zhvillon të martën kundër Gjermanisë në Osnabruck. Tre pikëshin e parë Kosova e kishte fituar në tavolinë ndaj Norvegjisë, edhe pse kishte humbur 0:5, pasi norvegjezët kishin aktivizuar në lojë futbollistin Krostoffer Ajer, i cili nuk kishte të drejtë loje, për shkak të dy kartonëve të verdhë.
Pas ndeshjes futbollistët dhe stafin e Kombëtares U21 e kanë uruar nënpresidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshë, Eroll Salihu dhe anëtarët e KE-së, Xhelal Broja e Bekim Rexhepi. Ndërkaq, më vonë nëpërmjet lidhjes telefonike nga Zagrebi përzgjedhësin Rafet Prekazi dhe futbollistët për këtë fitore madhështore i ka uruar edhe presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri.
Kosova 3
Norvegjia 2
Stadiumi “Adem Jashari”
Shënues: Bytyqi (41’, 87’), Hasani (43’) – Thorsby (5’), Odegaard (36’)
Gjyqtarë:Fyodor Zammit, Luke Portelli, William Debattista (Maltë)
Kartonë të verdhë: Kabashi, Voca, Mema – Zekhnini.
Kosova: Bekaj, Kasbashi, Ismajli, Hasani, Gashi, Bytyqi, Voca, Jashari (Dabiqaj), Maloku (Shabani), Krasniqi (Loshaj), Mema.
Norvegjia: Rossbach, Ryerson, Reitan, Hanche-Olsen, Thorsby, Bjordal (Zekhnini), Fossum (Kristtoforsen), Risa, Odegaard, Knudsen (Svendsen), Jenssen.