18 shkurt, 2019 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 18-të në IPKO Superligë. Skuadra kryesuese e stinorit vjeshtor, Prishtina, ka pësuar humbje në cilësi të mysafires në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me rivalin lokal, Flamurtarin, me rezultat 0:2. Kjo humbje bardhekaltërve të kryeqytetit u ka kushtuar edhe me humbjen e pozitës së liderit, të cilën e ka rrëmbyer Feronikeli, pas fitores së sotme në Prizren. Prishtina e nisi më mirë ndeshjen dhe pati disa mundësi para portës së Flamur Nezirit, por lojtarët e saj të repartit të sulmit nuk u treguan efikas. Në minutën e 22-të kuqezinjtë mbetën me një lojtar më pak më fushë, pasi Quansah u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër. Kur u mendua se gjërat do të thjeshtoheshin për Prishtinën, duke pasur parasysh faktin se kishin epërsi numerike në fushë, ndodhi e kundërta. Flamurtari arriti që fillimisht në minutën e 31-të të zhbllokojë shifrat me golin e Alban Shillovës, derisa në sekondat e fundit të pjesës së parë edhe ta rrisë epërsinë në 2:0, me golin e Egzon Krasniqit. Në pjesën e dytë futbollistët e Prishtinës përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të ndryshuar gjërat nuk ia arritën këtij qëllimi dhe u detyruan të pajtohen me humbje.

Ndërkohë, Feronikeli e ka shfrytëzuar maksimalisht humbjen e Prishtinës, duke fituar pastër 2:0 në ndeshjen kundër Lirisë në stadiumin “Përparim Thaçi” në  Prizren. Edhe në këtë ndeshje të dy golat u shënuan në pjesën e parë. Ishte Kastriot Rexha, i cili shënoi dy herë për tri pikë të rëndësishme të skuadrës nga Drenasi, e cila tashmë është ngjitur në pozitën e parë në renditje, me dy pikë më shumë se Prishtina.