23 maj, 2018 – Skuadra e Flamurtarit ka arritur të mbijetojë në Superligë edhe për edicionin e ri të garave, pasi sot në ndeshjen e barazhit kundër Vushtrrisë shënoi fitore pas penalltive 6:5. Ndeshja, e cila u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll me rezultat të barabartë, 1:1. Skuadra e Vushtrrisë e filloi më mirë ndeshjen duke pasur një rast ideal, por shtylla ishte ajo që ndali goditjen e sulmuesit të Vushtrrisë, Labinot Osmani. Sidoqoftë, ishte skuadra e Flamurtarit ajo që realizoi në pjesën e parë me anë të Almir Ajrezajt, i cili shënoi gol me një goditje nga distanca në minutën e 14-të. Më pas skuadra e Vushtrrisë u mundua gjatë gjithë kohës të barazojë rezultatin por nuk ia arriti këtij qëllimi deri në minutën e 84-t, me një super gol të shënuar nga Jetmir Topalli. Në dy vazhdimet nga 15 minuta nuk pati gola dhe kështu fituesi u vendos në penallti, ku më të mirë u treguan futbollistët e Flamurtarit, duke shënuar nga 6 gjuajtje, ndërsa te Vushtrria i pafat ishte vetëm Diellon Dragusha, që kësisoj bëri që skuadra e tij edhe në edicionin e ardhshëm të garojë në Ligën e Parë.