12 shtator, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshjet e fundit të javës së 4-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, ku në tri ballafaqime fitoreve iu gëzuan skuadrat mysafire. Flamurtari ka vazhduar me formë të mirë në këtë fillimedicioni, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. Kësaj here kuqezinjtë e kryeqytetit kanë shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Lirinë, me rezultat 3:1. Dy gola për Flamurtarin i shënoi Alban Shillova (13’ e 73’), derisa me një gol kontribuoi Quansah (24’). Ndërkaq, golin e vetëm për prizrenasit e realizoi Gentian Binishi (82’). Ndërkohë, Llapi ka shënuar fitore në duel me Dritën në Gjilan, me rezultat 2:1, duke e thelluar krizën e skuadrës kampione në fuqi. Për llapjanët shënuan Fiton Hajdari (10’) dhe Festim Alidema (72’), derisa për gjilanasit golin e vetëm e shënoi Bujar Shabani (37’). Fitore të rëndësishme si mysafir realizoi edhe Feronikeli, duke e mposhtur Ferizajn, me shifrat 2:0, me golat e Astrit Fazliut (7’) dhe Da Silvas (67’). Ndërkaq, Trepça’89 ka shijuar fitoren e parë dhe atë me rezultat bindës kundër KEK-ut në Obiliq, me shifrat 5:1. Golat për mysafirët i shënuan Mircevski (17’), Bujcevski (25’), Vitia (45’-ag), Shoshi (84’-p) dhe Velinov (89’), derisa golin e nderit për vendasit e shënoi Berisha (69’-p).