15 tetor, 2019 – Në prag të ndeshjes Shqipëri U21 – Kosovë U21, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2021, që zhvillohet sonte në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, zyrtarët e FSHF-së kanë shtruar drekë për delegacionin e FFK-së dhe delegatin e UEFA-s. Në drekën e përbashkët nga FSHF ishin Abdyl Kuriu dhe Tritan Kokona, derisa nga FFK anëtarët e KE-së, Xhelal Broja e Bekim Rexhepi dhe drejtori i ekipeve kombëtare dhe për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori. Nikoqirët përgëzuan zyrtarët e FFK-së për sukseset e arritura si me Kombëtaren A, ashtu edhe me Kombëtaren U21 dhe me grupmoshat e tjera, derisa theksuan raportet tejet të mira dhe vëllazërore ndërmjet dy federatave. Në fund të drekës të dyja palët i uruan fat njëra – tjetrës në këtë cikël kualifikues, si dhe shkëmbyen dhurata.