29 gusht, 2023 – Fushë Kosova sot ka qenë stacioni i radhës i karvanit “Festa e Futbollit” në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë Artmotion, i cili promovon fillimin e edicionit të ri 2023/2024 në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Kësaj radhe bashkë me klubin e inkuadruar sivjet në Albi Mall Superligë, KF Fushë Kosova, tifozë, klientë dhe personalitete të futbollit i dhanë hare qytetit të Fushë Kosovës duke festuar edicionin e ri të futbollit me muzikë, foto dhe bashkëbisedim mes futbollistëve, fansave e qytetarëve.

Kapiteni i KF Fushë Kosova, Nasuf Berisha u shpreh i lumtur që përmes këtij aktiviteti iu dha mundësia të jenë afër tifozëve dhe qytetarëve të tyre, duke dhuruar edhe fanella të këtij eventi dhe abonime për Artmotion.

“Ishte një kënaqësi e veçantë që në qytetin tim ku jam rritur të shpërndajmë autograme dhe të takojmë fansat tonë. Besoj që ne do të jemi motiv shtesë për fëmijët e të rinjtë që të merren me sport. Fushë Kosova i ka munguar Superligës dhe kjo u dëshmua edhe sot në këtë festë futbolli. Do ta bëjmë më të mirën të sjellim rezultate pozitive”, theksoi Berisha.

Të kënaqur dhe falënderues për këtë event u shprehën edhe tifozët e pranishmit në këtë event, të cilët u zotuan që do të qëndrojnë afër klubit të tyre në rrugëtimin në Albi Mall Superligë, me shpresë që së shpejti do të krijohen mundësitë infrastrukturore që klubi i tyre i zemrës të luajë në stadiumin e vet.

Karvani “Festa e Futbollit” do të vazhdojë në muajin shtator, atëherë kur do të rikthehet Albi Mall Superliga pas pauzës për ndeshjet e Kombëtares.

Le të mbretërojë spektakli, emocionet, rivaliteti dhe ‘fair-play’ gjatë tërë edicionit në AlbiMall Superligë.