20 janar, 2023 – Kombëtarja e Kosovës në futsall U19 ka barazuar në ndeshjen e parë në kuadër të raundit preliminar të kualifikimeve për Euro 2023, që po zhvillohet në Shkup. Dardanët e udhëhequr nga Suad Keçi barazuan kundër Gjermanisë, me rezultat 3:3. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi me golin e Odi Mehmetit, në minutën e 9-të. Loja e mirë e Dardanëve në këtë periudhë u kurorëzua edhe me golin e dytë, të cilin e shënoi Blend Krasniqi, duke shkuar në pushim me dy gola epërsi. Megjithatë, pjesa e dytë nisi mirë për gjermanët, të cilët vetëm pas 25 sekondash realizuan nëpërmjet Nikolas Suton. Pas pësimit të këtij goli djelmoshat e Keçit reaguan shpejt, duke e rikthyer epërsinë e dy golave, nëpërmjet Blend Krasniqit, në minutën e 22-të. Mirëpo, gjermanët vazhduan me trysni në drejtim të portës së Kosovës dhe arritën të vendosin baraspeshën në rezultat me dy gola të shënuar brenda 50 sekondave, kur po luhej minuta e 27-të. Fillimisht realizoi Mats Niclas Schrade, derisa më pas Nikolas Suton shënoi golin e tij të dytë. Me të njëjtin rezultat Gjermania ka barazuar edhe në ndeshjen e parë kundër Maqedonisë së Veriut, prandaj gjithçka rreth skuadrës që do të kualifikohet tutje do të vendoset të shtunën, në përballjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Deklarata e përzgjedhësit Suad Keçi pas ndeshjes:
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave tanë edhe pse kundërshtari u rikthye pas rezultatit 0:2. Mirëpo, futsalli është lojë e tillë dinamike. I përgëzoj djelmoshat për angazhimin dhe lojën e treguar dhe dëshiroj që këtë lojë ta përsërisin edhe nesër kundër Maqedonisë së Veriut. E kam theksuar edhe më parë se të tri kombëtaret jemi të barabarta dhe gjasat për kualifikim janë 50:50. Pas epërsisë tonë 3:1, ata, e shndërruan edhe portierin në lojtar dhe ne nuk arritëm të mbrohemi aq mirë. I patëm disa lëshime, të cilat i shfrytëzuan. Tani duhet që këto gabime t’i evitojmë dhe të përqendrohemi plotësisht për duelin me Maqedoninë e Veriut për të dhënë më të mirën. Pres që të jemi më të qetë dhe ta fitojmë ndeshjen dhe të kualifikohemi tutje”.