30 maj, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në futsall ka mësuar kundërshtarët për fushatën kualifikuese të Kampionatit Evropian 2026. Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, e ka vendosur Kosovën në Grupin 10, ku bëjnë pjesë edhe Franca, Gjeorgjia dhe Bullgaria. Ndeshjet kualifikuese me sistem vajtje-ardhje do të luhen në periudhën 9 dhjetor 2024 – 16 prill 2025. Të parat e 10 grupeve kualifikuese kalojnë në finalet e Euro 2026, derisa tetë skuadrat e vendeve të dyta me bilancin më të mirë shkojnë në fazën e ‘play-off’-it, përmes së cilës do të sigurohet bileta për finalet e Evropianit. Ndeshjet e ‘play-off’-it do të luhen më 15-24 shtator 2025, ndërsa finalet e Kampionatit Evropian do të organizohen nga Letonia dhe Lituania në periudhën 18 janar – 8 shkurt 2026.