2 tetor, 2018 – Kombëtarja U19 në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje përballë Gjermanisë, me rezultat 0:6, në ndeshjen e parë në kuadër të grupit 9 të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Skocia 2019”, që po mbahen në Irlandën e Veriut. Të vetëdijshëm për kapacitetet e Gjermanisë stafi i Kombëtares U19 në krye me Kushtrim Munishin e kishin përgatitur ndeshjen me mbrojtje të përforcuar, gjë e cila rezultoi e suksesshme në 45 minutat e para. Në fakt, vashat tona në pjesën e parë patën paraqitje të mirë dhe arritën t’i bëjnë ballë sulmeve të vazhdueshme të gjermaneve, madje edhe duke dalë përpara në sulm në disa raste, por që gjuajtjet e Anjeza Rexhepit dhe Kaltrina Biçkajt i priti portierja gjermane, Rafaela Borggrafe. Ndërkohë, gjermanet kaluan në epërsi në minutën e 35-të. Fillimisht portierja Florentina Kolgeci e priti gjuajtjen nga penalltia të Lisa Ebert, por topin e dëbuar e dërgoi në rrjetë Paulina Krumbiegel. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:0. Megjithatë, në pjesën e dytë qysh pas tre minutash gjermanet shënuan dy herë, duke shfrytëzuar gabimet në mbrojtjen tonë, me golat e Melissa Kossler dhe Sjoeke Nusken. Pësimi i këtyre dy golave të shpejtë ndikoi tek morali i futbollisteve tona, derisa edhe forca fizike e bëri të veten dhe kësisoj gjermanet shënuan edhe tre gola tjerë nëpërmjet Verena Wieder me kokë (56’), Melissa Kossler (62’) dhe Meryem Cennet Cal (75’). Ndeshjen e sotme, e cila u zhvillua në “Stangmore Park” Dungannon nga afër e ndoqën presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarët e KE, Vjollcë Krasniqi e Xhelal Broja dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Pas ndeshjes përzgjedhësi Kushtrim Munishi theksoi se kjo humbje nuk duhet t’i demoralizojë vashat, pasi Gjermania është kombëtare gjigante. “Ne jemi përpjekur maksimalisht që kundër Gjermanisë të mbrohemi sa më mirë. Këtij qëllimi ia arritëm mjaft mirë në pjesën e parë, por më pas dy gola të shpejtë në pjesën e dytë ndikuan te vashat tona, derisa erdhi në shprehje edhe diferenca fizike. Sidoqoftë, ne do të mundohemi ta harrojmë sa më shpejtë këtë humbje dhe të këndellemi për dy duelet tjera, në të cilat duhet të bëjmë përpjekje për të nxjerrë rezultate pozitive”, ka thënë Munishi. Ndeshjen e radhës Kosova U19 (femrat) do ta zhvillojë më 5 tetor kundër Irlandës së Veriut, derisa më 8 tetor luan kundër Estonisë.