12 shkurt, 2022 – Me tri ndeshjet e zhvilluara sot në kuadër të javës së 19-të, ka nisur stinori pranveror në BKT Superligë. Gjilani ka arkëtuar vetëm një pikë si mysafire e Drenicës, në Skenderaj, përballje e cila u mbyll me rezultat 1:1, e që skuadrës së Ismet Munishit i kushtoi me humbjen e pozitës së parë. Kuqezinjtë nga Skenderaj kaluan të parët në epërsi me golin e shënuar nga Kreshnik Uka, në minutën e 25-të, nga një penallti e akorduar pas ndërhyrjes së VAR-it. Megjithatë, gjilanasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e 72-të, me golin e realizuar nga Shend Kelmendi. Ndërkohë, dy skuadrat tjera të kreut të renditjes, Ballkani dhe Drita e kanë nisur furishëm stinorin pranveror. Ballkani në shtëpi e ka mundur Dukagjinin, me rezultat 4:1, me golat e shënuar nga Meriton Korenica (18’), Armend Thaqi (29’), Kushtrim Gashi (63) dhe Mevlan Zeka (84), derisa golin e nderit për skuadrën nga Klina e realizoi Altin Merlaku (80’). Në anën tjetër, Drita ashtu siç pritej ka shënuar fitore të lehtë ndaj Feronikelit, skuadër kjo e cila luan kryesisht me lojtarë të rinj për shkak të krizës financiare. Ndeshja e zhvilluar në Lipjan, u mbyll 7:0, teksa tre gola i realizoi Hamdi Namani (4’, 29’ e 45’), kurse nga një gol e shënuan Marko Simonovski (54’), Arbnor Muja (74’), Almir Kryeziu (81’) dhe Ilir Blakqori (87’). Pas kësaj fitoreje, Drita pozicionohet në vendin e parë.