17 shtator, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 5-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Trepça’89 ka pësuar humbje para tifozëve të vet nga Gjilani, me rezultat 1:2. Trepça’89 e nisi më mirë ndeshjen dhe pas disa rasteve arriti të kalojë në epërsi në minutën e 40-të me golin e kapitenit, Shpëtim Idrizi. Megjithatë, në pjesën e dytë ishin gjilanasit që u treguan më efikas dhe arritën ta përmbysin rezultatin me golat e shënuara nga Kastrati, në minutën e 50-të dhe Thaqi, në minutën e 79-të. Ndërkohë, një pikë si mysafirë e kanë shkëputur futbollistët e Feronikelit, të cilët luajtën baras, 0:0 me Vëllaznimin në Gjakovë. Të dyja skuadrat patën mundësitë e tyre për të shënuar, por nuk ia arritën të gjejnë rrugën e golit. Në anën tjetër, Drita ka fituar me rezultat bindës në shtëpi, duke e mposhtur Drenicën, me shifrat 3:0. Përparim Livoreka e hapi serinë e golave në minutën e 60-të, për ta vazhduar më pas Kastriot Rexha, në minutën e 66-të dhe për ta përmbyllur Fidan Gërbeshi në minutën e 70-të nga penalltia.