20 nëntor, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 14-të në BKT Superligë. Gjilani ka shënuar fitore me përmbysje të rezultatit në Lipjan në duel me Ulpianën, me shifrat 2:1. Të parët shënuan vendasit me golin e Egzon Qerimit, në minutën e 23-të, por Gjilani arriti të bëjë kthesë në rezultat në pjesën e dytë, me golat e Albert Dabiqajt (64’) dhe Gerhard Prognit (85’). Pas kësaj fitoreje Gjilani e sheh veten në pozitën e parë, me 25 pikë, aq sa ka edhe Drita në pozitën e dytë, derisa Ballkani renditet i treti, me një pikë më pak, por edhe me një ndeshje më pak. Fitore ka realizuar edhe Drita që e mposhti Drenicën, me rezultat 1:0. Golin e fitores e realizoi Marko Simonovski në minutën e 89-të, pas asistimit të Altin Kryeziut. E tri pikë në minutat e fundit i siguroi edhe Malisheva, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e mposhti Feronikelin (1:0). Golin e vetëm të këtij ballafaqimi e shënoi Ronald Sobowale në minutën e katër të kohës shtesë. Java e 14-të përmbyllet nesër me ndeshjen ndërmjet Llapit dhe Ballkanit, që zhvillohet në Merdar, prej orës 13:30.