28 gusht, 2016 – Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 2-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Në katër ndeshje fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase, derisa fitoren e vetme si mysafire e shënoi skuadra e Drenicës, e cila shënoi fitore në kryeqytet kundër Hajvalisë, me rezultat 1:0. Golin e fitores për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Drilon Osmani, në minutën e 84-t. Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet, duke e mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Feronikelin, me rezultat 2:1. Isa Eminhaziri kaloi vendasit në epërsi në minutën e 48-të. Feronikeli i barazoi shifrat në minutën e 88-të me golin e Besnik Krasniqit pas asistimit të Mentor Zhdrellës, por vetëm dy minuta më vonë gjilanasit e rikthyen epërsinë me golin e Betim Haxhimusës, duke arkëtuar tri pikët e para në këtë edicion dhe duke ia shkaktuar humbjen e dytë radhazi kampionëve në fuqi. Fitoren e dytë në këtë edicion e shënoi Trepça’89, e cila e mposhti Dritën, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Shpëtim Idrizi nga penalltia, në minutën e 82-të. Tri pikë të reja i ka arkëtuar edhe Besa, e cila e ka mundur Ferizajn në stadiumin “Shahin Haxhiislami”, me rezultat 2:0. Mirsad Idrizi shënoi autogol në minutën e 43-të, derisa Qemail Elshani e vulosi fitoren e pejanëve në minutën e 59-të. Ndërkohë, Llapi shijoi fitoren e parë në këtë edicion, duke e mposhtur Trepçën, me rezultat 2:1. Florim Berbatovci në minutën e 2-të dhe Egzon Sinani në minutën e 88-të shënuan për llapjanët, kurse për mysafirët realizoi Emin Baliqi, në minutën e 78-të.
Vala Superliga: Java e 2-të:
Liria – Prishtina 1-2
Gjilani – Feronikeli 2-1
Trepça ‘89 – Drita 1-0
Llapi – Trepça 2-1
Besa – Ferizaj 2-0
Hajvalia – Drenica 0-1
Liga e Parë: Java 1
KEK-u – Vushtrria 1-0
Ballkani – Ramiz Sadiku 1-0
Fushë Kosova – Vitia 3-0
Istogu – Vëllaznimi 3-3
Ulpiana – Flamurtari 1-1
Rahoveci – Kosova (P) 1-2
Dukagjini – Vllaznia (P) 1-1
Deçani – 2 Korriku 1-1