27 gusht, 2020 – Skuadra nënkampione e Kosovës, SC Gjilani është eliminuar nga garat e Europa League, pasi të enjten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” ka pësuar humbje nga skuadra e njohur qipriote, APOEL Nicosia, pas vazhdimeve, me rezultat 0:2. Gjilani pati një paraqitje shumë të mirë në 90 minutat e rregullta, duke arritur t’i rezistojë mjaft mirë skuadrës me përvojë të madhe në garat evropiane. Në pjesën e parë mysafirët ishin skuadër më dominuese në lojë, por pa ndonjë rast serioz para portës së Koliçit, falë edhe mbrojtjes efikase të gjilanasve që nuk lejuan shumë hapësira. Në pjesën e dytë ishin gjilanasit që u liruan nga presioni dhe e administruan lojën, por pa arritur të vijnë deri te rastet e mira. Në minutën e 78-të skuadra qipriote pati mundësi për të kaluar në epërsi, pasi gjyqtari akordoi penallti, ndonëse ndërhyrja ishte jashtë vijës së 16-shit. Për fat të gjilanasve gjuajtja e Moussa Suleimanit shkoi mbi portë dhe kësisoj ndeshja shkoi në vazhdime. Megjithatë, në vazhdim freskia ishte në anën e mysafirëve, të cilët në minutën e 102-të finalizuan një aksion të shpejtë, kur realizoi Georgios Efrem për zhbllokim të rezultatit, derisa në minutën e 116-të fitoren dhe kualifikimin në rrethin e dytë të Europa Leagues për APOEL-in e vulosi Dieumerci Ndongala. Sidoqoftë, paraqitja e sotme e Gjilanit dëshmoi se futbolli kosovar është në rrugën e duhur dhe ka shënuar rritje, duke pasur parasysh se gjilanasit u përballën me një rival shumë të fortë dhe që ka emër në garat evropiane.