20 korrik, 2023 – SC Gjilani është eliminuar në rrethin e parë të Ligës së Konferencës. Pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë si mysafire, skuadra e drejtuar nga Klodian Duro, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” ka pësuar humbje ndaj skuadrës Progres Niederkorn nga Luksemburgu, me rezultat 2:0. Ndikim direkt në epilogun e kësaj ndeshje pati përjashtimi i hershëm i Egzon Sinanit me karton të kuq. Gjilani e nisi mirë ndeshjen dhe pati dy raste të mira në minutat e para, por nuk arriti t’i shfrytëzojë. Më pas mbetja me 10 lojtarë në fushë e gjilanasve i mundësoi mysafirëve që të kenë më shumë hapësira në fushë. Ata arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 65-të, me golin e Mazure-Hanus. Mirëpo, edhe pas këtij goli Gjilani pati disa mundësi të mira, ku në njërën prej tyre shtylla ia mohoi golin. Ndërkohë, krejt në fund mysafirët realizuan edhe golin e dytë, duke e vulosur fatin e kualifikimit përmes Jarmounit.