23 tetor, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 11-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani ka shënuar fitoren e radhës në shtëpi, duke e mundur Feronikelin, me rezultat të ngushtë 1:0. Golin e vetëm të kësaj përballjeje e ka shënuar Blerim Krasniqi, me gjuajtje me kokë, në minutën e 64-t. Me këtë fitore Gjilani është ngjitur në pozitën e parë, me 20 pikë. Ndërkaq në dy ndeshjet tjera fitoreve iu gëzuan skuadrat mysafire. Drita arriti ta mposhtë Llapin në Merdar, me rezultat 3:1. Astrit Fazliu e hapi serinë e golave në minutën e 4-t nga penalltia. Epërsinë në 2:0 e shtoi ish-futbollisti i llapjanëve, Hamdi Namani, në minutën e 34-t. Llapi arriti ta ngushtojë diferencën në minutën e 47-të me golin e Alban Shillovës nga pika e bardhë, por fitoren e gjilanasve e vulosi Marko Simonovski, me golin e shënuar në minutën e 72-të. Tri pikë të rëndësishme në udhëtim i arkëtoi edhe Ulpiana, që e mundi Malishevën, me shifrat 2:1. Santos (16’) dhe Ardi Shala (52’) realizuan golat e fitores së Ulpianës, derisa golin e ngushëllimit për malishevasit e shënoi Olluri. Nesër zhvillohen dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, ku Drenica pret Dukagjinin, derisa Ballkani ballafaqohet me Prishtinën.