21 gusht, 2022 – Janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera në kuadër të xhiros së dytë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Ballkani, e ka zhvilluar ndeshjen e parë të këtij edicioni në elitë, duke realizuar fitore në duel me Drenicën. Ndeshja e zhvilluar në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” është mbyllur 1:0. Golin e tri pikëve të para për portokallezinjtë e ka realizuar kapiteni Edvin Kuç, me një gjuajtje të saktë nga brendësia e zonës pas asistimit të Gripshit. Më herët u zhvilluan dy ndeshjet e tjera. Gjilani ka realizuar fitoren e dytë radhazi, duke u bërë lider i renditjes në elitë. Skuadra e Zekirija Ramadanit, të dielën, në fushën me bari sintetik në Gjilan, e ka mundur Malishevën me rezultat 1:0. Edhe këtë herë përcaktues në fitoren e gjilanasve ishte përforcimi i ri, Theophilus Solomon, i cili realizoi në minutën e 67-të, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Mevlan Zekës. Ndërkohë, Ferizaj dhe Prishtina kanë luajtur baras (0:0), në një ndeshje ku nuk kanë munguar rastet nga të dyja palët, por ka munguar finalizimi i rasteve. Më afër golit ishte Endrit Krasniqi i Prishtinës, por gjuajtja e tij e qëlloi shtyllën. E në minutën e 33-të gjyqtari Erdall Zasella akordoi penallti, por e cila më pas me ndihmën e VAR-it u shfuqizua. Si rrjedhëjë në këtë rast pati vonesë për rifillimin e ndeshjes, pasi si pasojë e këputjes së kabllos së sinjalit nga ana e disa tifozëve të pandërgjegjshëm, gjyqtari Zasella nuk kishte mundësi ta shikojë rastin diskutabil në monitorin që është në fushë, përderisa ekipi teknik i FFK-së e riktheu sinjalin tek monitori i VAR-it në fushë me një kabllo tjetër. Sonte zhvillohet edhe ndeshja e fundit e kësaj jave ku nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” ballafaqohen Ballkani dhe Drenica.