29 prill, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 28-të në Vala Superligë, në të cilat fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase. Gjilani arriti ta mposhtë skuadrën kampione në fuqi, Feronikelin, me rezultat 1:0, duke ia vështirësuar dukshëm garën për titull. Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Gëzim Rusi, në minutën e 47-të pas asistimit të Betim Haxhimusës. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër në Podujevë, Llapi shënoi fitore në duel me Lirinë, me rezultat 2:0, sfidë kjo e cila u zhvillua pa praninë e shikuesve për shkak se klubi llapjan u ndëshkua nga Komisioni Disiplinor. Të dy golat llapjanët i shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht rezultatin e zhbllokoi Mirlind Daku, që shënoi pas asistimit të Bujar Idrizit në minutën e 53-të, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Kushtrim Shabani, në minutën e 90-të. Do theksuar se Llapi nga minuta e 78-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Egzon Sinanit me dy kartonë të verdhë.