18 korrik, 2020 – Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 31-të në Ipko Superligë, ku ende gjithçka mbetet e hapur si në garën për titullin e kampionit, ashtu edhe për t’iu shmangur pozitës së 9-të, që dërgon në një rang më të ulët të garave. Gjilani ka arritur të fitojë ndeshjen me rivalin e qytetit, Dritën, me rezultat 2:0, duke mbetur në garë për titull kur kanë mbetur edhe dy javë deri në mbyllje të kampionatit. Golat për Gjilanin i shënuan Sebino Plaku dhe Adenis Shalës. Një ndeshje mjaft interesante u zhvillua edhe në Suharekë, ku Ballkani dhe Prishtina barazuan 2:2. Ballkani dy herë ishte në epërsi me golat e shënuar nga Blend Baftiu (pen) dhe Kushtrim Gashi, por prishtinasit në të dyja rastet arritën të barazojnë shifrat me golat e Endrit Krasniqit dhe Otto John. Ballkani e gjeti rrugën e rrjetës edhe një herë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Ndërkohë, fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë shënuan Flamurtari, Drenica dhe Trepça’89.