4 shtator, 2022 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në derbin e javës së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Portokallezinjtë, të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”, fituan si mysafirë ndaj Prishtinës, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Albion Rrahmani në minutat shtesë të pjesës së parë, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Armend Thaçit. Në kaptinën e dytë Prishtina ishte më këmbëngulëse, por nuk arriti ta gjejë rrugën e golit, ndonëse e pati përkrahjen e konsiderueshme të tifozëve.

Skuadra e Gjilanit ka realizuar fitoren e katërt në këtë edicion dhe krahas një barazimi kryeson me meritë renditjen e Albi Mall Superligës pas javës së 5-të, me 13 pikë. Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani, të dielën, ka shënuar fitore si mysafire ndaj Dukagjinit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat 1:0. Gjilanasit patën paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, ku pasi goditen në dy raste shtyllën, arritën të gjejnë golin e fitores në minutën e 38-të. Solomon e shfrytëzoi siç duhet asistimin e Islamit dhe nga brendësia e zonës shënoi në portën e Muhaxhirit. Ndërkaq, në pjesën e dytë përkundër insistimit të vendasve për të barazuar shifrat, gjilanasit arritën ta menaxhojnë lojën dhe ta mbajnë portën të paprekur. Ndërkaq, ndeshja tjetër e cila u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërmjet Drenicës dhe Ferizajt nuk prodhoi gola (0:0). Kësisoj, pas pesë xhirove të para Drenica ka 5 pikë, derisa Ferizaj ka arkëtuar vetëm 3 pikë. Të shtunën janë zhvilluar dy ndeshje, ku Drita ka shënuar fitore me rezultat bindës ndaj Llapit (4:0), derisa Malisheva ka arkëtuar tri pikë si mysafire në duel me Trepçën’89 (3:2).