Sot më 8 tetor, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe drejtori i kompanisë “KD Events & Communications”, Kushtrim Demiri, kanë shpalosur në një konferencë për media detajet rreth organizimit të ndeshjes miqësore ndërkombëtare, Kosova – Guinea Ekuatoriale, e cila zhvillohet të shtunën, në orën 15:00, në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë. Fillimisht sekretari i përgjithshëm i FFK-së ka uruar që sonte kombëtarja e Shqipërisë të arrijë sukses në ndeshjen kundër Serbisë në kualifikimet për Euro 2016 dhe më pas ka folur për miqësoren e radhës së Kosovës. “Në këtë ndeshje kemi përballë një kundërshtar që në pikëpamje të parë nuk duket se është aq i popullarizuar, por që në fakt është një kombëtare solide, pasi Guinea Ekuatoriale shumicën e lojtarëve i ka që luajnë në shtetet evropiane, një pjesë e të cilëve në Spanjë. Pra, kemi të bëjmë me një kundërshtar i cili nuk bën assesi të nënçmohet. Përfaqësuesja e Guinesë Ekuatoriale do të arrijë sonte në orën 19:45 dhe do të akomodohet në hotel “Royal”, derisa Përfaqësuesja jonë është që dy ditë e akomoduar në hotel “Emerald” dhe sot e ka mbajtur edhe stërvitjen e parë, derisa nesër do ta mbajë edhe një stërvitje tjetër në orën 15:00 në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë”, ka theksuar Eroll Salihu. Në anën tjetër drejtori i kompanisë “KD Events & Communications” si bashkorganizatore e kësaj ndeshje, Kushtrim Demiraj, ka thënë se përkundër kohës shumë të shkurtër për përgatitjet e organizimit të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme për FFK-në, gjithçka është arritur të bëhet në kohën e duhur dhe pret që gjithçka të shkojë mirë. “Sot dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Guinea Ekuatoriale dhe kompania jonë do ta bëjë shitjen e tyre në 6 qytete të vendit, aty ku ne sot e organizojmë shikimin e ndeshjes Shqipëri – Serbi në ekrane gjigante për qytetarët. Pra do të jemi në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Prizren dhe Ferizaj. Shitja e biletave fillon në orën 15:00 deri në orën 23:00. Ndërkaq, të premten do t’i kemi dy pika të shitjes në Mitrovicë dhe Prishtinë, derisa të shtunën do të jenë pikat e shitjes së biletave afër stadiumit në dy pika. Pjesa tjetër teknike e organizimit mund të them se është duke shkuar gjithçka sipas planit dhe dinamikës së saj. Të gjitha rregullat dhe standardet e FIFA-s do të plotësohen, kuptohet në bazë të kushteve të infrastrukturës aktuale të stadiumit”, ka thënë Demiri.
Çmimet e biletave do të jenë 10 euro në tribunën perëndimore, 7 euro në lindje dhe 3 euro në veri dhe jug. Me këtë rast sekretari i përgjithshëm i FFK-së ka ftuar të gjithë dashamirët e futbollit, që të shtunën të vijnë në stadium, pa marrë parasysh nëse kushtet atmosferike, në mënyrë që t’i përkrahin djelmoshat tanë. “I ftojmë të gjithë simpatizuesit e përfaqësueses së Kosovës të jenë në numër sa më të madh, sepse kjo mund të jetë njëra nga provat e fundit që shpresojmë që Përfaqësuesja e Kosovës i bën në gara miqësore zyrtare dhe prej vitit të ardhshëm po mendojmë se do të hyjmë në një fazë të re, ku konsolidimi i përfaqësueses do të jetë prioritet, ngase shpresojmë që shumë shpejt të kyçemi në garat zyrtare. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë të interesuarit që të vijnë dhe të shijojnë këtë ndeshje pa kurrfarë ngarkese”, ka shtuar Salihu.