30 shtator, 2020 – Federata e Futbollit e Kosovës me lirimin e masave anti Covid-19 dhe lejimin e garave sportive, ka filluar të organizojë me kujdes edhe aktivitetet për fëmijë në kuadër të programit “Grassroots”. Të gjitha anëtaret e UEFA-s çdo vit në muajin shtator realizojnë javën e festivalit të futbollit “Grassroots Week”, me qëllim të nxitjes së fëmijëve për t’u marrë me sport, përkatësisht me futboll, por këtë vit për shkak të pandemisë aktivitetet e këtij lloji kanë qenë më të reduktuara. Megjithatë, sot në Hanin e Elezit, FFK ka mbajtur aktivitetin me fëmijët e shkollave të kësaj komune. Vajza dhe djem të ndarë në grupe të vogla në përkujdesje te trajnerëve të futbollit dhe profesorëve janë argëtuar me lojën e futbollit në stadiumin “Suad Brava”. Festivali “Grassroots Week” do të vazhdojë edhe në komunat tjera të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt.