5 qershor, 2022 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në duel me Greqinë, në ndeshjen e rrethit të dytë të Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ndeshja u zhvillua, të dielën në mbrëmje, në një atmosferë madhështore në stadiumin e mbushur “Fadil Vokrri”, por në fund rezultati ishte zhgënjyes, 0:1 në të mirë të kombëtares helene. Dardanët e nisën mirë ndeshjen dhe e vunë në trysni kundërshtarin, por Zeneli e Muriqi nuk arritën të finalizojnë. Më pas grekët arritën të balancojnë lojën dhe në minutën e 36-të edhe të kalojnë në epërsi. Ishte kapiteni grek, Tasos Bakasetas që me një gjuajtje të fortë nga distanca e mposhti portierin Arijanet Muriq. Në pjesën e dytë Kosova hyri sërish me lojë ofanzive në përpjekje për të barazuar shifrat, por nuk ia arriti qëllimit. Mundësinë më të mirë e pati Amir Rrahmani, me gjuajtje me kokë, por atë e ndali portieri grek. Në minutën e 76-të Fidan Aliti u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë dhe kësisoj gjërat u vështirësuan edhe më shumë. Epërsia në rezultat, por edhe epërsia numerike në fushë ia mundësoi Greqisë që të luajë pa presion dhe ta ulë dukshëm ritmin e lojës, duke mos i lejuar futbollistët tanë po thuajse asnjëherë ta rrezikojnë portën. Se kjo nuk ishte nata e Dardanëve u vërtetua krejt në fund, kur portieri Muriq u ndëshkua direkt me karton të kuq, pasi luajti me dorë jashtë zonës së 16-metërshit, duke e shpëtuar golin e dytë. Për Greqinë kjo ishte fitorja e dytë ndaj Kosovës në pesë takimet e deritashme, teksa tri prej tyre janë mbyllur baras. Ndërkaq, për grekët kjo ishte edhe fitorja e dytë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, pasi tri ditë më parë fituan ndaj Irlandës së Veriut dhe tani kryesojnë grupin me 6 pikë, derisa Kosova mbetet e dyta me 3 pikë. Irlanda e Veriut dhe Qipro kanë nga 1 pikë, ngase në ndeshjen e sotme luajtën baras 0:0. Duelin e ardhshëm Kosova e luan me Irlandën e Veriut, më 9 qershor në “Fadil Vokrri”.