Skuadra e Hajvalisë ka shënuar fitore në ndeshjen hapëse të javës së 9-të në Raiffeisen Superligë kundër Trepçës’89, me rezultat 1:0. Kjo sfidë u zhvillua, të premten, në Kizhnicë. Për Hajvalinë kjo ishte fitorja e tretë në këtë edicion, por e para në shtëpi qysh prej arkëtimit të tri pikëve në javën e parë kundër Drenicës. Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Emin Bajrami i ka dhënë fund serisë së rezultateve të dobëta, pasi ndeshjen e javës së kaluar kundër Dritës e fitoi me rezultat zyrtar 3:0. Golin e fitores për Hajvalinë e realizoi Shkëlqim Pacolli në minutën e 78-të, me gjuajtje me kokë pas një harkimi nga fundorja. Pas kësaj fitoreje Hajvalia ngjitet në pozitën e gjashtë, me 11 pikë. Nesër zhvillohen dy ndeshje tjera të kësaj jave, ku Drenica sfidon Prishtinën, derisa Fushë Kosova përballet me Ferizajn.