Sot në stadiumin “Demush Mavraj” në Istog është zhvilluar ndeshja përmbyllëse e javës së 19-të në Raiffeisen Superligë, ndërmjet Istogut dhe Hajvalisë. Ndeshja u zhvillua në një terren të rënduar si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, por të dyja skuadrat shfaqën lojë të mirë dhe me angazhim maksimal. Pas një loje interesante në fund fitores iu gëzua Hajvalia, me rezultat 3:1. Istogu kaloi në epërsi në minutën e 32-të me golin e Fatlum Gashit me gjuajtje nga distanca. Me këtë epërsi të Istogut skuadrat shkuan në pushim, mirëpo në pjesën e dytë, më saktësisht në 15 minutat e fundit Hajvalia arriti të bëjë kthesë në rezultat, duke shënuar tre gola. Fillimisht shifrat i barazoi Liridon Leci, i cili shënoi nga afërsia në minutën e 76-të pas harkimit të Hamitit. Dy minuta më vonë Hamiti harkoi sërish nga e djathta për Da Silvan, e ky e dërgoi topin në rrjetë për 2:1. Ndërkohë, shifrat përfundimtare të këtij takimi u vulosën në minutën e 84-t, kur pas gjuajtjes së Lecit mbrojtësi i vendasve Maxharaj e devijoi topin në rrjetën e portës së tij. Pas kësaj fitoreje Hajvalia ngjitet në pozitën e dytë në renditje me 34 pikë, vetëm një më pak se Feronikeli që kryeson renditjen, derisa Istogu mbetet në pozitën e fundit më 15 pikë.