28 mars, 2019 – Në ndeshjen e dytë kundër Spanjës në garat e rrethit elitë, Kombëtarja e Kosovës U17, pësoi humbje minimale prej 1:0, ndonëse luajti shumë më mirë se në ndeshjen e parë kundër Ukrainës. Pjesa e parë ishte për një nuancë më e mirë se e spanjollëve dhe u mbyllë pa gola, ndërsa në pjesën e dytë futbollistët e Spanjës morën më shumë iniciativë dhe krijuan disa raste shënimi por gardiani i Kosovës, David Nreca Bisiniger shpëtoi portën tonë. Ndërkaq goli i spanjollëve erdhi në minutën e 53-të nga Pablo Morena edhe atë nga pakujdesia e mbrojtjes sonë. Në vazhdim sidomos në minutat e fundit djelmoshat tonë e mbizotëruan lojën dhe me të gjitha forcat u vërsulen drejt portës rivale, por pa sukses, kështu ndeshja u përmbyllë me fitore minimale të Spanjës. Edhe këtë ndeshje e ndoqën shumë bashkatdhetarë e në mesin e tyre edhe Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Ramadan Avdiu, pastaj Agron Selimi një mbështetës i madh i futbollit të Kosovës si dhe ndihmëstrajneri i Kombëtares A, Ramush Gashi. Ndeshjen e tretë dhe të fundit Kombëtarja U17 do ta zhvillojë më 31 mars kundër Greqisë.  Pas ndeshjes ia se çka deklaruan:

Besnik Kollari, përzgjedhës
I përgëzoj djemtë për një angazhim jashtëzakonisht të madh. Mirë i kryen detyrat: Futbollistët e Spanjës krijuan disa raste shënimi, por portieri ynë ishte i mrekullueshëm në pritjet e tij. Pjesa e parë ishte shumë e baraspeshuar, ndërsa në pjesën e dytë Spanja ngulmoi shumë në fitore duke bërë trysni të madhe gjë që rezultoi me një gol duke shfrytëzuar shpërqëndrimin e futbollistëve tanë. Si do që të jetë jam i kënaqur me lojën dhe paraqitjen e ekipit. Kam thënë disa herë se neve na nevojitet një punë e madhe e gjatë për të arritur objektivat.

 

Valon Zumberi, kapiten
Mendoj se në pjesën e parë ishim më të mirë. Në pjesën e dytë sikur na humbi koncentrimi dhe pësuam gol nga një pakujdesi e jona. Mirëpo, ne pas golit u angazhuam që të kthehemi në lojë dhe bëmë trysni të madhe sidomos në fund të ndeshjes për të barazuar por pa sukses.

 

 

 

Spanja – Kosova 1:0 (0:0)

Stadiumi: Fusha e futbollit e UEFA-s Nyon

Shikues: disa dhjetëra

Gjyqtarë:S. Gishmaher, R. Riedel, N. Dotan dhe  G. Leibovitz.

Shënues: Moreno i SPA

K.V.: Zamora e Escobar të SPA dhe Bilalli e Nreca- Bisinger të Kos.

Spanja: Marquez, Moscardo, Carballo, Alacid, Vegara, Valera(Santos), Carreno, Zamora, P. Moreno(Escobar), Subiela dhe Navaro(Turrintes).

Kosova:Nreca-Bsingr,Pacolli(Hasani), Zumberi, Bekaj(Marmullaku), Bilali(Tusha), M. Avdyli(Berisha), L. Avdyli,  Kryeziu, Aslani, Hyseni(Dushi), e Spahiu