Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 7-të në Raiffeisen Superligë, ku në tri ndeshje fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase, derisa fitoren e vetme si mysafir e arriti skuadra e Hysit. Kjo e fundit realizoi fitoren e katërt radhazi në këtë edicion, duke e mposhtur Hajvalinë në Kizhnicë, me rezultat bindës 3:0. Kjo fitore ia ka mundësuar ekipit të drejtuar nga Fadil Ademi që të rikthehet sërish në pozitën e liderit, me 16 pikë, duke e lënë pas vetes Llamkos Kosovën, me 15 pikë. Serinë e golave e nisi Përparim Livoreka, në minutën e 27-të, derisa më pas Enis Zabërgja shënoi dy herë, në minutën e 75-të dhe në minutën e 83-të (nga penalltia), për ta vendosur rezultatin përfundimtar 3:0. Ndërkohë, Trepça arriti ta mposhtë skuadrën kampione në fuqi, Prishtinën, në stadiumin “Riza Lushta”, me rezultat 1:0. Golin e fitores për “xehetarët” e realizoi Florent Sejdiu, në minutën e 55-të. Në këtë ndeshje pati një ndërprerje në minutat e fundit të pjesës së parë kur trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani u qëllua me një shishe nga tifozët vendas. Tri pikë tejet të rëndësishme i arkëtoi Drenica para tifozëve të vet në duelin e vështirë me Ferizajn, me rezultat 3:1, duke regjistruar fitoren e dytë në këtë edicion. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Besim Bajraktari 25’, Hysni Tahiri 52’ dhe Genc Hamiti 67’, derisa golin e vetëm për ferizajasit e realizoi Qëndrim Dautaj 60’. Ndërkohë Besa ka arritur ta mposhtë Fushë Kosovën, me shifrat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e ka shënuar Haxhi Zeka, në minutën e 20-të.
Raiffeisen Superliga
Dje
Llamkos Kosova-Feronikeli 3:0
Sot
Drenica – Ferizaj 3:1
Besa-Fushë Kosova 1:0
Trepça-Prishtina 1:0
Hajvalia – Hysi 0:3
Nesër
Drita-Trepça’89 (në orën 16:00)
Liga e parë, java e 6-të:
Vëllaznimi-Llapi 5:1
Dukagjini-Ramiz Sadiku 1:0
Ballkani-Istogu 2:2
Lepenci-2 Korriku 1:1
Kosova (P)-Ulpiana 1-0
Flamurtari-KEK-u 4-1
Rilindja-Gjilani 0-1
Nesër: Liria-Deçani