9 tetor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Rusia 2018”. Në ndeshjen e zhvilluar sonte në Rejkjavik, Kosova është mposhtur nga Islanda, me rezultat 2:0. Kjo e fundit me këtë fitore e ka arritur suksesin e saj historik, duke u kualifikuar për herë të parë në një Kampionat Botëror. Kosova edhe në këtë ndeshje pati paraqitje të mirë, por u ndëshkua në dy raste nga islandezët. Golat për fitoren e Islandës i shënuan Sigurdsson, në minutën e 40-të dhe Gudmundsson, në minutën e 68-të. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e stërmbushur dhe me një atmosferë fantastike nga tifozët islandezë. Djelmoshat tanë deri në minutën e 40-të u treguan rivalë të barabartë dhe në dy raste edhe e kërcënuan portën e vendasve. Megjithatë, një pakujdesi të Jashanicës në mbrojtje islandezët e shfrytëzuan si duhet, kur G. Sigurdsson doli i vetëm me portierin Ujkani dhe e dërgoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë përzgjedhësi Bunjaku bëri dy zëvendësime të shpejta, duke inkuadruar në lojë Bernard Berishën dhe Vedat Muriqin në vend të Alban Pnishit dhe Atdhe Nuhiut. Mirëpo, edhe pse qarkullimi i topit ishte më shumë në zotërim të tanëve, islandezët u treguan të vëmendshëm në mbrojtje dhe nuk lejuan shumë hapësira, derisa në minutën e 68-të e gjetën edhe golin e dytë, me çka e konfirmuan kualifikimin në Botëror. Në 15 minutat e fundit të ndeshjes u inkuadrua edhe futbollisti i ri i Romës, Lirim Kastrati, i cili kësisoj bëri debutimin në Kombëtaren A. Do theksuar se në këtë ndeshje ishte një numër i bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në Islandë, por edhe disa sosh që kishin udhëtuar nga SHBA dhe Skocia. Ndonëse Kosova e mbylli këtë cikël pa fitore dhe vetëm me një pikë, potenciali i futbollistëve jep shpresa të mëdha që në ardhmen nuk do të mungojnë as sukseset.
 
Islanda 2
Kosova 0
Stadiumi Laugardalsvöllur – Reykjavik
Shikues: 10.000
Gjyqtarë: H. Lechner, A. Heidenreich, M. Kolbitsch (Austri)
Kartonë të verdhë: Ujkani, Pnishi, B. Berisha
Shënues: G. Sigurdsson (40′), Gudmundsson (68′)
Islanda: Halldorsson, Saevarsson, R.Sigurdsson, J. Gudmundsson, B. Bjarnason, G. Sigurdsson, Arnason, A. Gunnarsson (Ignason), Magnusson, E. Hallfredsson (Sigurjudson), Bodvarsson (Finnbognason)
Kosova: Ujkani, Pnishi (B. Berisha), Laqarada, Jashanica, Vojvoda, Rrahmani, Rashica, V. Berisha, Halimi (Kastrati), Celina, Nuhiu (Muriqi).