Futbollistët e Istogut iu gëzuan fitores së dytë në këtë edicion. Ata, të premten, në stadiumin “Demush Mavraj”, në ndeshjen hapëse të javës së 6-të në Raiffeisen Superligë, e mposhtën Ferizajn, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Elvis Gacaferri, në minutën e 23-të pas një reagimi të dobët të mbrojtjes mysafire, megjithëse nga një pozitë e dyshimtë. Në përgjithësi ishin ferizajasit ata të cilët patën mbizotërimin në fushën e lojës, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Në anën tjetër, vendasit mundësinë më të mirë për të shtuar epërsinë e patën në minutën e 89-të kur Granit Arifaj e qëlloi shtyllën.