13 mars, 2024 – Skuadra e Fushë Kosovës ka shkaktuar befasi të madhe në kuadër të javës së 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e mundur liderin dhe kampionin aktual, Ballkanin, me rezultat 2:0. Alden Shkreli u shfaq hero i fitores, duke shënuar të dy golat në minutat e 12-të dhe 52-të.
Dështimin e Ballkanit nuk ka arritur ta shfrytëzojë Llapi, që po ashtu ka pësuar humbje në përballje me Malishevën në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 2:1. Sërish protagonisti kryesor në fitoren e Malishevës ishte Drilon Hazrollaj, i cili realizoi të dy golat (28’-pen dhe 48’. Golin e vetëm për llapjanët shënoi Ahmed Januzi (53’).
Ndërkaq, fitore para tifozëve të vet ka realizuar Gjilani që e ka mundur Lirinë, me rezultat 3:0. Me këto rezultate, Ballkani vazhdon të mbetet në krye të renditjes me një diferencë të ngushtë ndaj Llapit prej 1 pike, ndërkohë që Fushë Kosova pas kësaj fitoreje ngjallë shpresat për t’iu shmangur rënies nga elita.