20 tetor, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 11-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Drita, ka shënuar fitore si mysafire kundër Ferizajt, me rezultat 2:0. Kjo fitore i ka ndihmuar kampionët që të ngjiten në pozitën e 5-të në renditje, me 16 pikë. Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 31-të, kur Betim Haxhimusa realizoi pas asistimit të Xhevdet Shabanit. Ky i fundit asistoi edhe në golin e dytë, i cili  u shënua nga zëvendësuesi Haxhi Neziraj, në minutën e pestë të kohës shtesë. Ndërkohë, Prishtina shënoi fitore të pritur në duel me KEK-un. “Elektricistët” e rinj rezistuan vetëm në pjesën e parë, pasi në të dytën pësuan tre gola. Serinë e golave e hapi Basit Khalid, në minutën e 52-të, për ta vazhduar më pas Mario Morina, në minutën e 68-të dhe për ta përmbyllur Mërgim Pefqeli, në minutën e 88-të. Fitore para tifozëve të vet dhe me rezultate identike, 1:0, shënuan Ballkani dhe Drenica. Skuadra portokalli nga Theranda e mposhti Flamurtarin, me golin e Manevskit, në minutën e 70-të, derisa Drenica arkëtoi tri pikë të reja në duel me Lirinë, me golin e shënuar nga Kreshnik Uka, në minutën e 39-të.