3 maj, 2024 – Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Fillimisht presidenti Ademi uroi anëtarët e KE-së dhe gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, me rastin e 8 vjetorit të anëtarësimit në UEFA, duke e vlerësuar 3 majin e vitit 2016, si një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, derisa më pas u diskutua edhe për të arriturat gjatë kësaj periudhe dhe projektet e ardhshme.

Po ashtu, në këtë mbledhje KE i FFK-së analizoi rrjedhën e kampionatit, si dhe ecurinë e ligave në përgjithësi. KE diskutoi për datat e ndeshjeve të barazhit dhe për organizimin sa më të mirë të këtyre ndeshjeve.

Në mbledhjen e sotme, u diskutua gjithashtu për ecurinë e punimeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, si dhe për projektet e infrastrukturës që janë duke u kryer në vazhdimësi nga FFK-ja.

KE diskutoi edhe për kursin e Licencës UEFA A, e cila do të nisë më 26 maj, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për trajnerët në vendit tonë.

Në fund, KE shqyrtoi edhe parashtresat dhe ankesat që i janë drejtuar këtij organi.