22 janar, 2020  –  Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit z. Agim Ademi, e ku diskutoi për shumë çështje të rëndësishme për futbollin e Kosovës.  KE shqyrtoi përgatitjet për Kuvendin zgjedhor për anëtarë të KE-së që do të mbahet më 27 janar, duke konstatuar se përgatitjet po shkojnë sipas planit dhe dinamikës së paraparë, konform Statutit dhe Rregullores së punës së Kuvendit të FFK-së. Po ashtu KE përcaktoi  detyrat dhe prioritet e FFK-së për vitin 2020, me theks të veçantë infrastrukturën dhe përkrahjen e klubeve të të gjitha rangjeve si dhe  shkollat e futbollit me qëllim të ngritjes profesionale, organizative në drejtim të zhvillimit të gjithëmbarshëm të futbollit të Kosovës.  Në këtë mbledhje KE diskutoi edhe për ndeshjen kualifikuese të Kombëtares A kundër Maqedonisë së Veriut që do të zhvillohet më 26 mars  dhe përgatitjet për këtë takim janë në fazën finale. Tutje KE analizoi edhe punën dhe ecurinë e ekipeve kombëtare gjatë vitit 2019, duke caktuar synimet dhe objektivat për vitin 2020. KE miratoi edhe Marrëveshjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet FFK-së dhe Federatës së Futbollit të Katarit, që e kishte nënshkruar presidenti Ademi me krerët e futbollit katarian, ku presidenti Ademi dhe sekretari Salihu shpalosën hollësitë e kësaj marrëveshje tepër domethënëse dhe me interes për futbollin e Kosovës. KE shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtesat  drejtuar këtij organi.