2 mars, 2022- KE mbajti mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku shqyrtoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e deritashme të garave në stinorin pranveor dhe konstatoi se garat në të gjitha rangjet po rrjedhin normalisht sipas dinamikës. KE konstatoi se VAR-i ka pasur ndikim jashtëzakonisht të mirë në rregullshmërinë e garave, ndonëse ka pasur edhe gabime të vogla por pa ndikim. Megjithatë, KE kërkon nga organet e FFK-së që të jenë në nivel të detyrave. Meqenëse ky vit është vit zgjedhor për president të FFK-së, KE diskutoi dhe vendosi në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për president. Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë, ndërsa për kohën dhe vendin e mbajtjes së Kuvendit, delegatët do të njoftohen në ditët në vazhdim.
KE gjatë kësaj mbledhjeje diskutoi edhe për punën e trajnerëve të ekipeve kombëtare, si dhe shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.