2010-09-24
Bashkëpunimi ynë me z. Marcus Svensson ekziston tash e disa vjet, ku me profesionalizmin dhe kompetencën e tij ka qenë dhe është dorë e djathtë në punën e përzgjedhësit Albert Bunjaki.
Gjatë këtyre 2 viteve të fundit janë organizuar 2 seminare për trajner, si edukim i shpejtë me z. Marcus Svensson, por edhe shumë procese tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në Kosovë.
z. Marcus Svensson sot është në cilësinë e këshilltarit personal të përzgjedhësit në kuadër të Përfaqësueses A, por në një të ardhme të shpejtë, pasi kushtet ekonomike të përforcohen në FFK dhe pas pranimit në UEFA e FIFA, shpresojmë se do të gjendet një gjuhë e përbashkët me z. Marcus Svensson për bashkëpunim të mëtejmë edhe më të thellë. Natyrisht qëllimi ynë është që z. Marcus Svensson në të ardhmen të jetë edhe përgjegjës për trajnime fizike në kuadër të Përfaqësueses A, duke kuptuar kompetencën, përvojën e tij që për ne është shumë e rëndësishme. Një përvojë dhe kompetencë që shpresojmë se në të ardhmen do të shkrihet edhe në klubet tona. Me ndihmën e z. Svensson janë mbajtur edhe testimet fizike të lojtarëve të Përfaqësueses A, janë krijuar programet individuale pozicionale për lojtarë dhe dërguar tek lojtarët përkatës. Po ashtu janë mbajtur edhe informime me trajnerët e elitës, është krijuar një platformë e testimeve me rezultate të Superligës etj etj.
Tani kohët e fundit jemi në përpilim të një programi standard për ushtrime të fuqisë fizike për grupmosha, që është një program standard i thjeshtëzuar dhe i përshtatur për kushtet e sotme të klubeve të Kosovës. Ky program është tejet i nevojshëm, në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë një kontinuitet pune me trajnime të ushtrimeve fizike.
Për FFK-në është kënaqësi që të ketë një bashkëpunëtor dhe profesionist si z. Marcus Svensson. Hyrja e tij në dhomën e elitës botërore tregon kompetencën dhe profesionalizimin e tij, gjë në të cilën ne asnjëherë nuk kemi dyshuar. Ne i dëshirojmë z. Svensson punë të suksesshme dhe vazhdim të bashkëpunimit me ne dhe natyrisht shpresojmë se në një të ardhme të shpejtë do të kemi një bashkëpunim edhe më të thellë.
Federata e Futbollit e Kosovës