16 qershor, 2021 – Sot në selinë e UEFA-s në Nion është hedhur shorti për raundin e dytë kualifikues për ekipet që do të marrin pjesë në UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.
Prishtina si kampione e Kosovës fillimisht do të marrë pjesë në parakualifikimet që zhvillohen në Elbasan, ku do të luajë ndaj Folgores në gjysmëfinale dhe nëse fiton do të takohet me fituesin e çiftit Havnar Bóltfelag – Inter Club d’Escaldes. Nëse e kalon me sukses këtë rreth do të ballafaqohet me skuadrën e njohur hungareze, Ferencvaros në raundin e parë, derisa fituesi i këtij dueli në raundin e dytë do të përballet me fituesin e duelit Zalgiris Vilnius – Linfield.

Ndërkohë, në garën e re UEFA Conference League, do të paraqiten dy skuadrat tjera kosovare, Drita dhe Llapi, të cilat gjithashtu kanë njohur kundërshtarët e raundit të dytë, në rast kalimi të rrethit të parë.

Drita nëse e kalon me sukses duelin me skuadrën e Deçiqit, në raundin e dytë do të luajë kundër gjigantit holandez, Feyenoord.
Në anën tjetër, Llapi nëse e kalon rrethin e parë në përballje me Shkupin, atëherë do të luajë kundër skuadrës portugeze, CD Santa Clara në raundin e dytë.