21 maj, 2021 – Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Benjamin Kololli, ka shënuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër në ndeshjen e fundit të kampionatit zviceran, që skuadra e tij Zuerichu e fitoi në shtëpi ndaj Vaduzit, me rezultat 4:1.
Kololli e gjeti rrugën e golit në minutën e 70-të. Ky ishte goli i 6-të për dardanin tonë në 21 ndeshjet e zhvilluara në Superligën e Zvicrës në këtë edicion. Ai në këtë ndeshje asistoi edhe në golin e minutës së 74-t, të cilin e realizoi Gnonto. Në këtë ndeshje u paraqitën edhe dy lojtarët e tjerë të Kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziu, i cili e zëvendësoi Kolollin në minutën e 82-të dhe Fidan Aliti.