05 shtator – Në stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Baku në ndeshjen e parë kualifikuese për Ligën e Kombeve kundër Azerbajxhanit, sot Kombëtaren A e vizitoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, të cilin e priti zv. sekretari Aranit Ahmeti bashkë me shtabin teknik dhe futbollistët në stadiumin “Fadil Vokrri “ në Prishtinë. Përzgjedhësi i Kombëtares z. Bernard Challendes e njoftoi ministrin Gashi për gjendjen në Kombëtare duke thënë se futbollistët janë të gatshëm për të u përballur me Azerbajxhanin dhe u shpreh se do të bëjnë maksimumin për të shënuar fitore. Ndërsa, ministri Gashi ritheksojë përkrahjen e plotë për FFK-në dhe ekipin kombëtar. Ministri tha se qeveria po punon në vazhdimësi që të përmirësojë dhe modernizojë kushtet për sportin në Kosovë ku si prioritet ka futbollin si sportin më të popullarizuar në Kosovë dhe me më masivitet. Ministri u shpreh se Kosova posedon shumë talente në futboll dhe MKRS-ja do t’i përkrahë dhe do t’u qëndrojë afër futbollistëve. Në fund ministri u dëshiroi suksese Kombëtares dhe djemve në garat e Ligës së Kombeve duke kërkuar angazhim maksimal të futbollistëve që të arrihen rezultate sa më të mira.