22 mars, 2019 – Gjatë seancës stërvitore të ditës së sotme, Kombëtaren U17 e vizitoi konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, z. Ramadan Avdiu, i cili duke i përshëndetur futbollistët e rinj, mes tjerash tha: ”Siç e patë mbrëmë djemtë e Kosovës na bënë krenarë të gjithëve në lojë me Danimarkën, shpresoj që edhe ju do të na bëni krenarë dhe do të keni paraqitje të mira në ndeshjet e juaja në këtë rreth. Unë besoj se ju do të dëgjoni me kujdes e vëmendje këshillat e përzgjedhësit dhe shpresoj se do të arrini rezultate të mira. Po ashtu shpresoj se bashkatdhetarët tanë do të jenë në numër të madh në përkrahjen tuaj”. Përzgjedhësi Besnik Kollari edhe sot sipas plan-programit të tij ka vazhduar punën me zell me futbollistët e Kombëtares U17, të cilët me përkushtim të madh dhe në një atmosferë të jashtëzakonshme po punojnë që të arrijnë objektivat. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 25 mars në orën 11.00 kundër Ukrainës, ndaj u bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër që të vijnë në mbështetje të djemve tanë.