23 mars, 2018 – Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme miqësore kundër Madagaskarit që zhvillohet në afërsi të Parisit. Përzgjedhësi Bernard Challandes, gjatë këtyre ditëve të grumbullimit ka punuar në analizimin e ndeshjeve të kaluara dhe në përmirësimin e mangësive të shfaqura. Gjatë seancës së sotme është punuar në disa skema të lojës dhe për mënyrën se si ekipi do ta interpretojë lojën e nesërme. Përzgjedhësi Challandes vazhdimisht ka kërkuar nga lojtarët që ta tregojnë mentalitet të fortë, duke u angazhuar maksimalisht si ekip. Atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët gëzojnë formë të mirë, derisa tek të gjithë ka optimizëm për sukses.