9 nëntor, 2018 – Pa dyshim se ngarkesa psikologjike dhe respekti i tepruar ndaj kundërshtarit bëri që vajzat e Kombëtares A, sot, në ballafaqim me Kombëtaren e Ukrainës, pësuan humbje dhe nuk arritën të japin më të mirën, ndaj mbetet shumë për të punuar me këtë Kombëtare në të gjitha segmentet. Mbase edhe nevoja për të sjellë ndryshime ka bërë që ne ende nuk kemi një strukturë të lojtareve standarde që do të mund të përballonin përvojën e Kombëtareve tjera që në arenën ndërkombëtare janë me vjet të tëra. Sidoqoftë në pjesën e parë hiq minutat e parë vashat tona mirë e kontrolluan topin dhe lojën deri në minutën e 10-të kur ukrainaset shënuan përmes Apanaschenko, ndërkaq vetëm tre minuta më vonë Pantsulaya shënoi për 2:0. Me gjithë përpjekjet e futbollisteve tona për të ndryshuar shifrat pjesa e parë mbaroi me epërsinë e Ukrainës prej 2 golave. Pjesa e dytë nis më e qetë dhe vajzat tona ndryshuan shumë nga loja dhe në minutën e 48-të Leonorë Ejupi pas bashkëveprimit me Racajn ngushtoi epërsinë në 2:1. Në vazhdim futbollistet tona u orvaten disa herë ta barazojnë rezultatin por nuk ia arritën, ndërsa Ukraina në minutat e fundit të ndeshjes shënoi edhe dy herë, në minutën e 80-të shënoi Dekrach dhe Malakhova në minutën e 87-të dhe me këtë rezultat u përmbyllë ndeshja e parë me Ukraininën, ndërkaq ndeshja e dytë do të zhvillohet më 12 nëntor. Ndeshjen e ndoqën veç anëtarëve të KE, Vjollcë Krasniqi dhe Xhelal Broja edhe kryetari i Shoqatës së Trajnerëve Ajet Shosholli dhe përzgjedhësi i Kombëtares U-19 meshkujt Ramiz Krasniqi.

Deklaruan paas ndeshjes:
Afërditë Fazlija, përzgjedhëse
Mendoj se ndeshja kishte dy pamje. Në pjesën e parë kishte një respekt ndaj kundërshtarit dhe disi ekipi luajti me njëfarë ngërçi. Dhe ekipi nuk e gjeti vehten dhe pësuam dy gola, Ndërsa në pjesën e dytë arritëm të stabilizojmë ndeshjen dhe falë golit te rezultati 2:1, e stabilizuam ekipin, krijuam disa raste por nuk arritëm më shumë edhe pse ishim të barabartë dhe dy golat i pranuam nga gabimet tona.

 

 

Leonorë Ejupi, shënuese
Goli im me gëzoj por humbja na dëshpëron edhe pse në pjesën e dytë ishim të mira dhe krijuam disa raste shënimi. Dorën në zemër ekipi i Ukrainës ishte mjaft i mirë dhe arritën të fitojnë, ndërsa neve na mbetet të përmirësohemi për ndeshjen e dytë.

 

 

 

Kaltrinë Biçkaj, futbolliste
Për mendimin tim teknikisht ishim më të mira, por respektuam shumë kundërshtarin dhe kjo na u hakmor. Ne u munduam që në pjesën e dytë të bëjmë më shumë, por nuk ia dolëm.

 

 

 

 

 

Blertë Shala, futbolliste
U angazhuam mjaft shumë, por nuk arritëm ta bëjmë lojën tonë, ndërkaq që e kemi ditur se Ukraina është një skuadër e fortë, gjë që u tregua edhe sot. Por ne do të mundohemi që në ndeshjen e dytë të konsolidohemi dhe të arrijmë t’i përmirësojmë gabimet.

 

 

 

Kosova – Ukraina 1:4 (0:2)
Fusha e futbollit Antalya
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtare: N. Murtadag, B. Nuryelmaz, S. Aktan e M. M. Ozçidem.

Shënuese: Apanaschenko(10), Pantsulaya(13), Dekrach(80) e Malakhova(87) për UKR dhe Ejupi (48) për Kos.

Kosova: Leci, F. Shala, Syla(Agaj), Behluli, Biçkaj(Rexha), B. Shala, Uka, Ejupi(Bajra), Kryeziu, Racaj(Berisha) e Limani.

Ukraina: Podolska, Derkach(Shevchuk), Andrukhiv(Malakhova), Kalinina, Kochneva(Petryk), Sanina, Pantsulaya, Ovidiychul, Apanaschenko(Kunina), Polykhovich e Kravets.