4 tetor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa në orët e pasditës ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku edhe është akomduar në hotel “Colosseo”. Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Albert Bunjaku, me ndihmësit e tij ka punuar në fazën mbrojtëse, ku ka kërkuar nga lojtarët që ta kenë vëmendjen në çdo top të kundërshtarit, pasi Ukraina njihet si skuadër që ka shpejtësi në lojë dhe i duhet pak hapësirë për të të ndëshkuar. Në stërvitjen e sotme grupit iu ka bashkuar edhe kapiteni Samir Ujkani, derisa disa shqetësime të vogla kanë pasur Bledar Hajdini, Besar Halimi dhe Ardin Dallku, por që sipas stafit mjekësor nuk bëhet fjalë për lëndime serioze.
Deklaruan pas stërvitjes
Besar Musolli: Atmosfera në kombëtare është e mirë dhe po punojmë për ta përgatitur sa më mirë sfidën me Ukrainën. Kemi përballë një rival të vështirë, por jam i sigurt se të gjithë ata që do të luajnë do ta japin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Unë jam gjithmonë i gatshëm për ta shfrytëzuar mundësinë nëse trajneri vendos të më aktivizoj.
Hekuran Kryeziu: Pavarësisht mungesave që kemi për këtë ndeshje, mendoj se kemi futbollist të mjaftueshëm që kanë cilësi për t’i mbuluar të gjitha pozitat. Jam optimist se do të bëjmë paraqitje të mira në të dyja ndeshjet.