3 shkurt, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U17 për vajza ka organizuar grumbullim treditor seleksionues në Kampin Nacional në Hajvali. Ky grumbullim është pjesë e përgatitjeve për sfidat e Grupit A2 në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Suedia 2024”, ku Kosova do të përballet me Finlandën, Portugalinë dhe Islandën në datat 21, 24 dhe 27 shkurt në Lisbonë.

Përzgjedhësja e kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi, bashkë me ndihmëset e saj Xhemile Berisha dhe Diellza Musa kanë punuar dje dhe sot me vajzat me qëllim të përzgjedhjes së disa prej tyre që do t’i bashkohen grupit bazë të lojtareve që do t’i kenë në dispozicion për këtë fazë kualifikuese.

Krasniqi ka theksuar se ndeshjet në Lisbonë do të jenë të vështira, duke pasur parasysh nivelin e lartë të ekipeve kundërshtare, mirëpo ka shprehur besimin se kjo do të jetë një sfidë e vlefshme për ekipin e Kosovës.

“Pas ndeshjeve kualifikuese që i kemi pasur në tetor dhe promovimit në Ligën A, së bashku me koleget e mia i kemi ndjekur paraqitjet e futbollisteve dhe jemi përpjekur të gjejmë talente të reja që do të na shërbejnë për fazën e dytë kualifikuese. Në këtë kamp janë edhe 11 lojtare të reja nga kampionati vendor, të cilat më herët nuk kanë qenë pjesë e kombëtares, por problemi qëndron në faktin se shumë lojtare ngecin me përgatitjen fizike, ngase ende nuk janë në fazën e rregullt të përgatitjeve me klubet e tyre, për shka se kampionati nis tek në mars. E kjo po na shkakton telashe edhe neve si kombëtare. Tani në Lisbonë na presin ndeshje tejet të vështira, ngase Finlanda, Portugalia dhe Islanda janë nivel shumë i lartë në futbollin e vajzave dhe pa dyshim do të jetë një sfidë e vështirë për ne”, ka theksuar Sanije Krasniqi. Ajo tutje ka thënë se e kanë boshtin e ekipit për kualifikimet e ardhshme, teksa ky kamp do të shërbejë për ta kompletuar ekipin për këtë fazë kualifikuese.

Aurela Imeraj, e cila luan në Norvegji, është grumbulluar për herë të parë me Kosovën dhe nuk e ka fshehur gëzimin që e ka veshur fanellën dardane. “Jam e lumtur që jam grumbulluar me Kosovën. Unë jam me prejardhje nga Kosova dhe për mua është ndjenjë shumë e mirë ta veshë këtë fanellë. Shpresoj të kem sukses. Të gjitha vajzat më kanë pritur shumë mirë. Sot edhe stërvitja ka shkuar më mirë, sepse dje nuk i kam njohur vajzat tjera. Trajneret po e bëjnë shumë mirë punën e tyre, si në praktikë ashtu edhe në teori. Shpresoj të jem e grumbulluar edhe në kualifikimet në Portugali, por mua më mbetet të punoj dhe të tregoj vlerat e mia”, ka theksuar Aurela.

Ndërkaq, portierja Anita Krasniqi, e cila edhe më herët ka qenë pjesë e Kombëtares U17, ka thënë se stërvitja e sotme ka qenë me intensive, por edhe vajzat janë njohur më mirë me njëra-tjetrën, ndërsa ka shprehur shpresën për një përfaqësim të mirë në fazën e dytë kualifikuese.

“Shpresoj të kemi sukses në ndeshjet që do t’i kemi në Portugali. E kemi një staf të trajnereve shumë të mira, por tani na mbetet edhe neve të punojmë sa më shumë. Personalisht po mundohem që të jap më të mirën. Shpresoj të përzgjidhem dhe ta përfaqësoj Kosovën sa më mirë në këtë fazë kualifikuese”, ka thënë Anita.

Dardanet e grumbulluara në Kampin e FFK-së në Hajvali, nesër, do të zhvillojnë një ndeshje provuese, me ç’rast stafi i trajnereve do të ketë mundësi të shohë formën dhe vlerat e secilës futbolliste që është pjesë e këtij kampi.

Kualifikimet për Evropianin“Suedia 2024” – Grupi A2
Finlanda – Kosova (21 shkurt, ora 12:00)
Portugalia – Kosova (21 shkurt, ora 12:00)
Kosova – Islanda (27 shkurt, ora 16:00)