1 qershor, 2024 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të grumbullimit për miqësoren kundër Norvegjisë, e cila do të zhvillohet më 5 qershor. Në këtë seancë, përzgjedhësi Franco Foda, ka vazhduar të përqendrohet në aspektin taktik, duke punuar intensivisht në fazën e sulmit, mbrojtjes si dhe në tranzicionit e ekipit gjatë lojës.
Për shkak të një shqetësimi të vogël në muskuj, Edon Zhegrova ka munguar në stërvitje. Ndërsa, kapiteni Amir Rrahmani e ka ndërprerë stërvitjen më herët në konsultim me stafin mjekësor për të mos rrezikuar ndonjë lëndim, pas një shqetësimi të vogël që ka ndjerë.
Pas stërvitjes së sotme Mustafë Abdullahu, një nga prurjet e reja në Kombëtare, u shpreh se është ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e Kombëtares A. “Unë kam qenë edhe pjesë e Kombëtares U21 dhe jam duke u kënaqur dhe shijuar këtë moment. Djemtë më kanë mirëpritur, adrenalina është shumë e mirë dhe presim të kemi rezultat të mirë. Atmosfera është shumë e mirë, trajneri na ka pritur mirë, gjithçka është duke shkuar në rregull dhe shpresoj të kemi ecuri të mirë. Kundër Norvegjisë presim lojë të mirë dhe të tregojmë atë çfarë kemi bërë në stërvitje”, ka thënë Abdullahu.
Nga ana tjetër, edhe Muhamet Hyseni theksoi se atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe grupi po punon shumë mirë së bashku. “Sot ishte seanca e tretë stërvitore, kemi kaluar shumë mirë dhe grupi po funksionon mirë. Trajneri po punon në aspektin taktik dhe po përgatitemi maksimalisht për miqësoren me Norvegjinë. Shpresoj të paraqitemi mirë dhe me një rezultat të kënaqshëm për ne. Shpresoj që në Oslo të na presin një numër i madh i bashkatdhetarëve sepse kemi nevojë për përkrahjen e tyre për t’u paraqitur sa më mirë”, ka thënë Hyseni.
Seancën e radhës stërvitore Dardanët e zhvillojnë nesër pasdite në orën 17:00 në Kampin Nacional në Hajvali.