15 shtator, 2017 – Me gjithë lojën e mirë dhe paraqitjen e denjë, futbollistet e Kombëtares së Kosovës U-19 femrat, humbën  me rezultat 2:0, nga Kombëtarja jashtëzakonisht e fortë e Islandës,  e cila mposhti Malin e Zi në ndeshjen e parë me rezultat 7:0. Gjatë gjithë lojës vashat tona ishin të barabarta, në posedim të topit, e qarkulluan dhe e kontrolluan  topin mirë, u mbrojtën me sukses por edhe sulmuan frikshëm. Por mos përvoja dhe përgatitja e pamjaftueshme fizike bëri që në fund të pësojnë. Të theksojmë se loja e islandezeve ishte mjaft e ashpër dhe si pasojë e kësaj ekipi mjekëve pati shumë punë në këtë ndeshje. Kjo nuk është aspak dekurajuese, për një skuadër që është në ndërtim e sipër dhe që po bën hapat e saj fillestar në arenën ndërkombëtare, e që i duhet pak kohë dhe durim deri te sukseset.  Islandezet në minutën e 15 goditën tërthorsen, ndërsa në minutën e 33-të kaluan në epërsi përmes Soleveig Johanesdottir, dhe me këtë rezultat u përmbyllë pjesa e parë. Edhe pjesa e dytë nisi me forca të baraspeshuara, ndërsa në minutën e  53-të islandezet goditën shtyllën. Kur po afrohej fundi i ndeshjes islandezet shfrytëzojnë një huti dhe pakujdesi të mbrojtjes tonë dhe shënuan në minutën e 85-të për rezultatin 2:0, me të cilin edhe u përmbyllë ndeshje. Në këtë ballafaqim ishin të pranishëm edhe kryetari i FFSHGJ (Federata e Futbollit Shqiptar për Gjermani), z.Ruzhdi Statovci, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët Miftar Dragidella dhe Enver Muzliukaj, të cilët u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me paraqitje e futbollisteve tona. Kombëtarja e Kosovës e ka ndeshjen e radhës më 18 shtator kundër Malit të Zi.
Deklaruan pas ndeshjes:
Kushtrim Munishi, përzgjedhës
Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollisteve  tona. I përgëzojë për një angazhim jashtë zakonisht të madh. Patëm edhe ne nga loja, mund të them se ishim të barabartë, por nga njëherë duhet ta kesh edhe fatin, por barazimi do të ishte një rezultat shumë real. Na mbetet të punojmë edhe më shumë në vazhdim.
 
 
 
Marigonë Tahiri, kapitene
Kishin një paraqitje të mirë. Ishim të angazhuara  të gjitha dhe mendojë se i kryem mirë detyrat e parashtruara nga trajneri. Kishim për ballë një ekip mjaft agresiv dhe mbi të gjitha fizikisht mirë të përgatitur. Me pak fat do të kishim marrë një pikë.
 
 
 
Diellza Hyseni, futbolliste
Luajtëm mirë. Ishte një ndeshje e fortë me një kundërshtarë të fortë dhe mirë të organizuar. U përpoqëm  mjaft të mos pësojmë dhe eventualisht të shënojmë, por nuk ja arritëm. Jemi ekip i ri që besoj se po përmirësohemi  çdo herë e më shumë.
 
 
 
Islanda –  Kosova 2:0 (1:0)
Stadiumi: Leichtathletikstadon Duisburg
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtare:T. Laos, K. Kaivoja, S. Kuttetwaschet e M. Joos,
Shënues:Johannesdottir(33 e 83) për Isl.
K.V. Biçkaj e Kos.
Islanda: Ivarrsdottir, Hannnesdotir, Pormobsdottir, G. Armadottir, K. Armadottir, Eiriksdottir, A. Johannsdottir(Enarsdottir), S. Johannsdottir, Ragnarsdottir(Njafrndottir), Halldorsdottir(Dabielsdottir) e Steinarsdottir.
Kosova: Kolgeci, Hyseni, Pjetri, Ternava, Ejupi(Lika), Biçkaj, Shala(Ahmeti), Behluli, Berisha(Ademi), Tahiri e Reçica.